Në javën e 13-të në Superligën e Kosovës në futboll, Ballkani ka mposhtur me rezultat 4:2 mysafirët e Llapit, njofton Insajderi.

Në pjesën e parë, skuadra nga Suhareka ka mbyllur dilemën e fituesit në këtë takim, pasi katër golat i realizoi në pjesën e parë.

Nazmi Gripshi ishte autori i dy golave për Ballkanin në këtë takim, duke realizuar në minutat (12’ dhe 38’) të takimit, ndërsa dy golat tjerë u shënuan nga Ermal Krasniqi (24’) dhe Mirlind Daku (45’). Me rezultat 4:0 për nikoqirët u mbyllën 45’ minutat e parë të ndeshjes.

Në pjesën e dytë, të përzgjedhurit e Ismet Munishit nuk shpenzuan më shumë energji, vetëm kërkonin të administronin rezultatin. Në këto rrethana, Llapi shfrytëzoi mundësinë e tërheqjes në mbrojtje të kundërshtarit, duke realizuar dy herë deri në fund të ndeshjes.

Së pari shënoi Elvis Prençi në minutën e 52’-të, ndërsa golin e dytë për miqtë e shënoi Ahmed Januzi 10’ minuta para mbylljes së takimit.

Me këtë fitore, Ballkani mbetet lider në Superligë me 29 pikë, ndërsa Llapi me këtë disfatë, mbetet në pozitën e parafundit në tabelë me vetëm tetë pikë. /Insajderi.com

The post Ballkani merr tre pikë në përballje me Llapin appeared first on Gazeta Online INSAJDERI.

Source: New feed