“Santos dhe Robinho raportojnë se, me marrëveshje të përbashkët, vendosën të pezullojnë vlefshmërinë e kontratës së nënshkruar më 10 tetor në mënyrë që lojtari të përqendrohet ekskluzivisht në mbrojtjen e tij në procesin që zhvillohet në Itali,” shkruan klubi në rrjetet sociale.

Ish-lojtari i Real Madridit, Manchester City-t dhe Milanit u dënua në vitin 2017 me nëntë vite burg nga Gjykata e Milanos për përfshirjen e tij në përdhunim në grup të një vajze të re 23-vjeçare me origjinë shqiptare. Ngjarja ndodhi në vitin 2013 në një klub nate në qytetin italian.

Robinho, 36-vjeç, foli me keqardhje për prishjen e kontratës, duke u shprehur se qëllimi i tij “ishte gjithmonë të ndihmonte Santosin. Nëse po prish punë në ndonjë mënyrë, është më mirë që të largohem dhe të përqendrohem në punët e mia personale. Do të provoj pafajësinë time për tifozët dhe ata që më mbështesin.”

Santosi njoftoi një javë më parë se kishte siguruar shërbimet e sulmuesit anësor, i cili nënshkroi një pagë simbolike në bazë të së cilës do të përfitonte 265 dollarë në muaj, pak më shumë se paga minimale në Brazil. Sidoqoftë, nënshkrimi i tij u kundërshtua fort nga disa menaxherë dhe sponsorë të klubit të São Paulos.

Të mërkurën e kaluar, kompania “Orthopride” njoftoi nëpërmjet një qëndrimi zyrtar se po tërhiqej nga sponsorizimi i klubit “në respekt të grave” që konsumojnë produktet e saj. Kjo dalje u pasua nga kërcënimi i sponsorëve të tjerë për të lënë klubin. “Qershia mbi tortë” u vendos këtë të premte nga portali “GloboEsporte”, që publikoi transkriptimet telefonike, që drejtësia italiane përdori për të dënuar Robinhon për dhunë seksuale.

Në një nga ato biseda, muzikanti Jairo Chagas, i cili performoi në vendin e ngjarjes natën e përdhunimit në grup, i shprehu Robinhos shqetësimin e tij në lidhje me ecurinë e hetimit, por lojtari brazilian i është përgjigjur: “Unë po qesh dhe nuk më intereson fare, sepse ajo ishte plotësisht e dehur, as nuk e di se çfarë ka ndodhur”.

Në një telefonatë tjetër, Robinho pranoi që ai “provoi” marrëdhënien me viktimën, ndërsa muzikanti i kujtoi: “Të pashë kur i vure penisin në gojën”, ndërsa sulmuesi iu përgjigj se “kjo nuk do të thotë se ia bëra”.

Përveç Robinhos, për këtë ngjarje është dënuar edhe miku i tij, Ricardo Falco. Katër brazilianë të tjerë gjithashtu thuhet se morën pjesë në aktin që u klasifikua nga Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Milanos si “dhunë seksuale”, por ata u larguan nga Italia gjatë hetimeve dhe, për këtë arsye, po gjykohen veçmas./SS/

Source: New feed

Leave a Reply