Njerëz të armatosur kanë vrarë dhjetëra njerëz në një sulm “të tmerrshëm” ndaj një autobusi me civilë në Etiopinë perëndimore, sipas organit të të drejtave të njeriut në vend, transmeton Insajderi.

Komisioni Etiopian për të Drejtat e Njeriut (EHRC), në një deklaratë të dielën ka thënë se “numri i vlerësuar i viktimave, aktualisht në 34, ndërsa kjo shifër ka të ngjarë të rritet”, nga sulmi që ndodhi të shtunën në mbrëmje në zonën administrative Debat të rajonit Benishangul-Gumuz, raporton Al Jazeera.

Komisioni tha se kishte raporte për sulme “të ngjashme”, dhe të njerëzve që largoheshin nga dhuna në pjesë të tjera të rajonit, si dhe “të personave të cilët kanë ikur për të kërkuar strehim”.

Nuk kishte asnjë informacion të menjëhershëm në lidhje me autorët e krimit. Sulmi erdhi mes një konflikti të përshkallëzuar midis qeverisë etiopiane dhe rajonit Tigray në veri të vendit ku thuhet se ka vrarë qindra njerëz dhe ka detyruar më shumë se 20,000 njerëz të largohen përtej kufirit në Sudan.

Nuk ka asnjë lidhje të njohur midis dhunës në Benishangul-Gumuz dhe operacioneve ushtarake në Tigray.

Sulmi ndaj autobusit të pasagjerëve, i cili po drejtohej nga Wonbera për në Chagni, ndodhi në një pjesë të vendit që kohët e fundit ka parë një valë sulmesh vdekjeprurëse ndaj civilëve.

Kreu i EHRC, Daniel Bekele, u kërkoi autoriteteve rajonale dhe federale të punojnë së bashku në një strategji për Benishangul-Gumuz për shkak të “ritmit të palodhur” të sulmeve në rajon. “Sulmi i fundit është një shtesë e zymtë e kostos njerëzore të cilën ne e mbajmë kolektivisht”, tha Bekele. /Insajderi.com

 

 

The post Dhjetëra të vrarë nga sulmi mbi autobusin në Etiopi appeared first on Gazeta Online INSAJDERI.

Source: New feed