Gjatë ditës së sotme KALLXO.com raportoi se si ish-presidenti Hashim Thaçi një ditë para se të jepte dorëheqje nga pozita që mbante për shkak të konfirmimit të aktakuzës nga Gjykata Speciale, fali persona të dënuar në rastin “Bllaca” e madje fali persona të cilët sipas Rregullores për kriteret dhe procedurën e faljes së dënimeve nuk do duhej të faleshin.

Në një dokument të siguruar nga KALLXO.com pas kërkesës për qasje në dokumente publike në Zyrën e Presidentit për procesin e faljes së pesë të dënuarve, është gjetur se njëri nga anëtarët e Komisionit për vlerësimin dhe shqyrtimin e kërkesave për falje të dënimeve nuk e kishte nënshkruar raportin i cili është dërguar më pas te ish- presidenti Thaçi.

Dardan Kryeziu nga shoqëria civile, i cili ishte pjesë e Komisionit për vlerësim dhe shqyrtim të faljes së dënimeve, për KALLXO.com ka thënë se që nga janari nuk është pjesë e komisionit.

“Jam dorëheq nga Komisioni që nga janari për arsye personale”, tha Kryeziu shkurt për KALLXO.com.

Përbërja e komisionit për faljen e të dënuarve, Foto:KALLXO.com

Në këtë rast, Rregullorja për kriteret dhe procedurat e faljes së dënimeve parasheh në nenin 24 përjashtimet që mund të bëhen në këtë rast ndërsa pika 3 e këtij neni ndër të tjera thotë se në rast se kryesuesi i Komisionit apo ndonjë anëtar nuk merr pjesë në shqyrtimin e ndonjë kërkese për falje zëvendësohet nga anëtari rezervë i Komisionit.

Neni 27 parasheh që çdo anëtar apo edhe kryesuesi i Komisionit mund të japin dorëheqje nga Komisioni.

Presidenti emëron me vendim Komisionin për shqyrtimin dhe vlerësimin e kërkesave për falje. Sipas Rregullores, kryesuesi dhe anëtarët e Komisionit emërohen për një mandat dy (2) vjeçar me mundësi vazhdimi vetëm edhe për një mandat tjetër. 3. Komisioni përbëhet nga së paku 5 (pesë) anëtarë, dhe në përbërjen e tij përfshihen përfaqësues nga: 3.1. Zyra e Presidentit, 3.2. lëmia e drejtësisë, 3.3. gjyqësori dhe 3.4. shoqëria civile”.

Detyrat e këtij Komisioni janë të shqyrtojë dhe vlerësojë kërkesat individuale për faljen e personave të dënuar, të përgatis me shkrim një raport me rekomandime për presidentin për faljen e personave të dënuar.

Në Komision bëjnë pjesë: Hasan Shala, kryetar i Komisionit si dhe kryetar i Gjykatës së Apelit, anëtarët janë: Drita Rexhaj nga Gjykata e Apelit, Ali Bajgora, ekspert akademik, Dardan Kryeziu nga shoqëria civile, Besim Kajtazi nga Zyra e Presidentit, anëtarët rezervë: Delueshe Halimi Konushevci nga Gjykata e Apelit, Egzona Boshnjaku Sejdiu nga Zyra e Presidentit si dhe koordinator i Komisionit Alban Halili nga Zyra e Presidentit.

Në këtë rast, rekomandimet dhe raportin e Komisionit e kanë nënshkruat të gjithë të lartëpërmendurit përveç Dardan Kryeziut i cili konfirmoi se kishte dhënë dorëheqje në janar të këtij viti.

Rregullorja thotë se presidenti shqyrton raportin e Komisionit dhe vlerëson rekomandimet e Komisionit, i miraton ose nuk i miraton ato dhe vendos për të dhënë falje tjetër nga ajo që është rekomanduar apo vendos për të mos falur personat e rekomanduar nga ana e Komisionit.

Nga 28 kërkesa që ishin shqyrtuar nga Komisioni, ish-presidenti Hashim Thaçi ka falur pesë persona, ku në një rast një të dënuarit i ishte refuzuar kërkesa për lirim me kusht, ndërsa për të tjerët më herët nuk kishte pasur kërkesa për lirim me kusht në Panelin për lirimin me kusht.

Rregullorja për kriteret dhe procedurat e faljes së të dënuarve, rregullore kjo e cila gjendet edhe në web- faqen e Presidencës, shpjegon se në çfarë forma dhe kur mund të falet një dënim i një personi dhe kur jo.

Saktësisht neni 5 i kësaj Rregulloreje e tregon se për kë ndalohet falja: “Personi i dënuar nuk mund të falet për çfarëdo dënimi për të cilin Paneli për Lirim me Kusht i ka refuzuar lirimin me kusht. 2. Personi i dënuar për veprat penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, si dhe veprat penale kundër njerëzimit dhe vlerave të mbrojtura me të drejtën ndërkombëtare të Kodit, nuk ka të drejtë të kërkojë falje si dhe 3. Personat e dënuar për të cilët me ligj të veçantë u ndalohet falja”.

Në këtë rast, Thaçi një ditë para se të jepte dorëheqje nga pozita e presidentit të Kosovës fali edhe një person të cilit më 23 shtator të këtij viti i është hedhur poshtë kërkesa për lirim me kusht pasi që ende nuk kishte plotësuar kushtin ligjor prej 2/3 të mbajtjes së dënimit.

Ilir Morina, i dënuar me 20 vite burgim për vrasje të rëndë, i cili po vuante dënimin që nga maji i vitit 2007, ndërsa parashihet që të përfundojë dënimin në vitin 2027, Thaçi i ka falur 2 vite burgim ndërsa arsyetimi i faljes sipas rekomandimeve të Komisionit për shqyrtimin dhe vlerësimin e faljeve të të burgosurve ishte për arsye humanitare, pendim i të dënuarit për veprën e kryer si dhe kohën e mbajtjes së dënimit.

Të dënuarit të cilët vuajnë dënimin në burgjet e Kosovës kanë të drejtë të bëjnë kërkesë edhe për lirim me kusht por edhe për falje të dënimit.

Në Kosovë ekziston një Panel për lirim me kusht, i cili është organ i veçantë, i cili konsiderohet i pavarur në vendimmarrje dhe i njëjti është i themeluar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës në pajtim me dispozitat ligjore të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe të Ligjit për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale.

Paneli është kompetent për shqyrtimin e të gjitha kërkesave dhe propozimeve për lirim me kusht, në bazë të raporteve të përpiluara nga ekipet profesioniste të institucioneve korrektuese të Kosovës. Kundër aktvendimit të Panelit nuk lejohet ankesa dhe nuk mund të ngritet konflikt administrativ.

Bekim Sylaj dhe Shpresim Uka sipas dokumenteve të siguruara të KALLXO.com nuk kanë kërkuar më herët lirim me kusht në Panelin për lirim me kusht.

Nëse të njëjtit do të bënin kërkesë për lirim me kusht, Paneli nuk do të mund t`ua aprovonte një këkresë të tillë pasi që të njëjtit nuk kanë përmbushur kushtet sipas rregullave 2/3 e mbajtjes së dënimit dhe me këtë rast, nëse të njëjtëve do u ishte refuzuar kërkesa nuk do të mund të faleshin nga ana e presidentit pasi që Rregullorja përjashton mundësinë që të dënuarve që u refuzohet lirimi me kusht të falen nga ana e presidentit.

Por, sipas dokumenteve të cilat ka siguruar KALLXO.com, pas kërkesës për qasje në dokumentet për personat e falur nga ana e ish- presidentit Thaçi javën e kaluar, del se i njëjti ka falur një person që sipas Rregullores për Kriteret dhe Procedurat për Faljen e Personave të Dënuar, është e ndaluar.

Në anën tjetër, presidenti emëron me vendim Komisionin për shqyrtimin dhe vlerësimin e kërkesave për falje. Sipas Rregullores, kryesuesi dhe anëtarët e Komisionit emërohen për një mandat dy (2) vjeçar me mundësi vazhdimi vetëm edhe për një mandat tjetër. 3. Komisioni përbëhet nga së paku 5 (pesë) anëtarë, dhe në përbërjen e tij përfshihen përfaqësues nga: 3.1. Zyra e Presidentit, 3.2. lëmia e drejtësisë, 3.3. gjyqësori dhe 3.4. shoqëria civile”.

Detyrat e këtij Komisioni janë të shqyrtojë dhe vlerësojë kërkesat individuale për faljen e personave të dënuar, të përgatis me shkrim një raport me rekomandime për presidentin për faljen e personave të dënuar.

Rregullorja thotë se presidenti shqyrton raportin e Komisionit dhe vlerëson rekomandimet e Komisionit, i miraton ose nuk i miraton ato dhe vendos për të dhënë falje tjetër nga ajo që është rekomanduar apo vendos për të mos falur personat e rekomanduar nga ana e Komisionit.

Kryetari i Komisionit për shqyrtim dhe vlerësim të kërkesave për faljen e dënimit, Hasan Shala, thotë se pavarësisht rekomandimeve që jepen, presidenti ka të drejtë ekskluzive që të falë edhe më shumë sesa është rekomanduar.

“Ligji thotë se ky Komision nuk e përcakton me ligj, ne jemi jashtë ligjit, me Rregullore presidenti ka pasur interesin me pasë një komision që jep rekomandime, sepse ai nuk është jurist dhe nuk i di gjërat. E drejtë ekskluzive e presidentit është që nëse ne i kemi thënë 1 vit ai mundet 10 vite me ia fal. Të drejtën ekskluzive për falje e ka presidenti, ne edhe kemi mujt me refuzu dikë edhe ai me thanë po edhe qëndron po. Kjo është e paraparë me ligj”, ka shpjeguar punën e Komisionit kryetari i Komisionit për vlerësimin dhe shqyrtimin e faljeve për të dënuarit, Hasan Shala.

Në këtë rast sipas dokumentacionit që ka pranuar KALLXO.com nga ana e Zyrës së Presidentit për pesë të falurit e fundit të datës 4 nëntor të këtij viti, për pesë të dënuarit që presidenti Thaçi kishte falur, për dy prej tyre nuk ishte marrë parasysh rekomandimi i Komisionit për faljen e të dënuarve për vepra të rënda.

Shpresim Ukës dhe Bekim Sylës, të dy të dënuar në rastin “Bllaca” me më shumë se 10 vite burgim, u janë falur më shumë vite burgim sesa ka propozuar Komisioni për lirimin e të dënuarve.

Për Shpresim Ukën, Komisioni kishte propozuar që t’i falej një vit, ndërsa presidenti kishte vendosur që t’ia falte katër vite, ndërsa Bekim Sylës Komisioni kishte propozuar që t’i falej një vit, ndërsa Thaçi ia fali 3 vjet e gjashtë muaj.

Shpresim Uka, i cili ishte dënuar me 15 vite burgim në rastin “BLLACA”, u fal nga ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, vetëm një ditë para se ky i fundit të jepte dorëheqje.

Atij me dekretin e presidentit iu falën plotë katër vite burgim. Ai po vuante dënimin me burgim prej 15 viteve për pjesëmarrje në vrasjen e Ibush Kllokoqit dhe tentim vrasjen e ish-zëvendëskryeministrit të Kosovës, Adem Salihaj.

Komisioni për faljen e të dënuarve ka propozuar faljen e dënimit për 1 vit për Ukën ndërsa atij i janë falur gjithsej 4 vite.

KALLXO.com ka siguruar të gjithë dokumentacionin në të cilën përshkruhen në detaje të gjitha veprimet që ka ndërmarrë Komisioni për faljen dhe shqyrtimin e dënimeve për të dënuarit, Komision ky i themeluar nga ana e ish-presidentit Thaçi.

Rekomandimet e Komisionit nuk janë marrë parasysh nga ana e ish-presidentit Thaçi, ndërsa ky i fundit kishte vendosur që atij t’i falen katër vite nën arsyetimin se i njëjti kishte treguar sjellje të mirë gjatë kohës së mbajtjes së dënimit si dhe ka treguar progres në risocializim.

Ndonëse si rregull parashihet që nga falja mund të përfitojnë vetëm personat që kanë respektuar rregullat e risocializimit dhe riintegrimit gjatë vuajtjes së dënimit të dhënat tregojnë se Shpresim Uka pas dënimit i ishte shmangur drejtësisë.

Pas dënimit në vitin 2012, Shpresim Uka ishte arratisur dhe nuk ishte kapur deri në nëntor të vitit 2015. Ai ishte arrestuar nga Policia e Kosovës me 11 nëntor të vitit 2015 në lagjen Bregu i Diellit në Prishtinë pas disa viteve në arrati.

Një tjetër i falur i cili bënte pjesë në rastin “Bllaca” është edhe Bekim Syla. Bekim Syla, i dënuar me 12 vite burg po ashtu i janë falur 3 vite e 6 muaj burg. Edhe për Sylën Komisioni kishte rekomanduar t’i falej 1 vit dënim me burg ndërsa Thaçi i fali 3 vite e 6 muaj burg.

Për tre të falurit e tjerë, Ilir Morina i dënuar me 20 vite burgim për vrasje të rëndë, Veton Gjoshi i dënuar me 11 vite e 6 muaj burgim për vrasje dhe Safet Halitit i dënuar për vrasje në tentativë me 3 vjet e gjashtë muaj, i ishte aprovuar nga ana e Thaçit, rekomandimi i Komisionit. Pra në këtë rast, Thaçi kishte aprovuar që Morinës t`i faleshin 2 vite siç kishte rekomanduar Komisioni, Gjoshit t`i faleshin 2 vite dhe Halitit t`i faleshin 6 muaj ashtu siç ishte paraparë në rekomandimin e Komisionit për faljen e të dënuarve.

The post Komuna e Gjilanit ankohet për vonesa të rezultateve të COVID-19 appeared first on Raporto Korrupsionin! KALLXO.com.

Source: New feed