Për shkak të disa problemeve shëndetësore në adoleshencë, një vajzë – identiteti i të cilës nuk u zbulua – tregoi në “Opinion” se e kishte të pamundur të bëhej nënë, pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme të saj dhe bashkëshortit. Nisur nga kjo, nëna e saj vendosi që të shërbente si nënë surrogate për fëmijën, shkruan Anabel, transmeton Insajderi.

“Që 17 vjeç kuptova që diçka në trupin tim nuk shkonte,” tha ajo duke shtuar se mitra u dëmtua për shkak të ndërhyrjeve të herëpashershme. “Nuk kisha asnjë shpresë”.

Në vijim të bisedës, vajza, sot 28 vjeç, tregoi se nuk i intereson aspak fakti që dikush tjetër – në këtë rast nëna – është shtatzënë me fëmijën e saj. “Më mjafton vetëm ta kem në krahë. Nuk ka problem që nuk e kam në bark.”

Vendimi për një nënë surrogate nuk u vendos nga vajza, por nga nëna e saj. Kjo e fundit tregoi se shkoi te gjinekologu me vajzën për një kontroll rutinë.

“Nuk mund t’ja pranoja vetes se ime bijë të mos kishte fëmijë. Vetëm këtë mendoja. I thashë doktorit se kam ardhur për një fëmijë për vajzën. Në atë kohë, ime bijë më tha: ‘Mama, çfarë po flet’. Nuk ishte diskutuar asnjëherë. Më erdhi natyrshëm.”

Ndër të tjera, nëna e vajzës u shpreh se pjesa më e vështirë ka qenë mentaliteti. “E kam përjetuar, por kohëve të fundit kur u zbulua çdo gjë, jam më e lehtësuar. E mora vendimin vetëm për të lumturuar vajzën time,” tha ajo.

Nga çfarë deklaruan në “Opinion”, nënë e bijë i janë nënshtruar fertilizimit in vitro, ku vezët janë mbledhur nga nëna biologjike, janë fekonduar me spermatozoidin e babait dhe janë vendosur në mitrën e nënës surrogate. Nëna surrogate, pra gjyshja, nuk ka lidhje gjenetike me foshnjën sepse nuk është përdorur veza e saj.

Fëmija pritet të vijë në jetë së shpejti.

The post Gruaja shqiptare bëhet nënë surrogate për fëmijën e vajzës së saj appeared first on Gazeta Online INSAJDERI.

Source: New feed

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *