Ky komunitet me të moshuar në Florida është tradicionalisht një bastion i republikanëve. Por pas Kuvendit Kombëtar Demokrat në muajin gusht, disa banorë shprehën mbështetjen për zotin Biden, duke thënë se u kishte ardhur në majë të hundës me Presidentin Trump. Patty Bair është banore e komunitetit “The Village” në Florida.

“Duam që të gjithë ta dinë se duhet të votojmë kundër tij”.

Sipas anketave, zoti Trump po humbet mbështetjen mes votuesve 65 vjeç e lart, një grup që votoi për të në vitin 2016. Whit Ayres është strategjist republikan me kompaninë “North Star Research”.

“Ai po humbet mes të moshuarve në disa shtete, shpesh me diferencë të konsiderueshme. Kjo si rezultat i minimizimit të pandemisë ndërsa të moshuarit janë popullsia më e rrezikuar.”

I etur për të fituar përsëri mbështetjen e votuesve të moshuar, që përbëjnë rreth 23 përqind të elektoratit amerikan, zoti Trump bëri fushatë të premten në Florida me thirrjen për të mbrojtur të moshuarit amerikanë.

“Unë do t’ju mbroj dhe do të luftoj për ju me të gjithë energjinë dhe bindjen time”, tha Presidenti Trump.

Ai përsëriti premtimin që bëri disa ditë pasi doli nga spitali pas infektimit me COVID-19, duke thënë se të moshuarit do të marrin të njëjtat ilaçe eksperimentale me të cilat u trajtua ai.

“Do ta bëjmë të disponueshëm dhe falas për të gjithë ata që kanë nevojë”,tha Presidenti për trajtimin që ju bë atij për virusin.

Ndërsa pandemia luan rol në sondazhe, mbështetja e të moshuarve për zotin Trump ka rënë që nga mesi i viti 2019. Një arsye tjetër mund të jetë se pensionistët tani e shohin atë si një kandidat më ekstrem sesa katër vite më parë. Robert Griffin është me “Democracy Fund Voter Study Group”.

“Kandidatët më të moderuar kanë prirjen të marrin më shumë vota. Kjo vihet re tek të gjithë votuesit si dhe mes të moshuarve.”

Këtë javë edhe kandidati Joe Biden bëri fushatë në Florida për të fituar mbështetjen e të moshuarve.

“Tek Trump, ju nuk keni vlerë, e them pa shaka. Juve jeni praktikisht askush. Kështu i sheh ai të moshuarit, kështu ju sheh ai ju.”

Zoti Trump kohët e fundit postoi në Twitter një meme të kundërshtarit në një karrige me rrota të rrethuar nga pensionistë. Presidenti 74-vjeçar shpesh tallet me zotin Biden që është 77-vjeçar, duke e quajtur atë “Joe i fjetur”. Chris Cooper është profesor i shkencave politike në Universitetin e Karolinës Perëndimore.

“Trump mbështet fuqishëm idenë se Joe Biden tani nuk po funksionon mirë, thjesht sepse ai është shumë i moshuar, duke nënkuptuar pa asnjë provë se ai ka demencia. Sigurisht që kjo nuk pëlqehet nga të moshuarit.”

Megjithatë, fushata e zotit Trump nuk po heq dorë nga të moshuarit, duke lëshuar reklama këtë javë që kanë si objektiv votuesit pensionistë në shtetet që njihen si fushëbetejë. /voa

 

Source: New feed

Leave a Reply