Ka vite që qytetarët e Kosovës me padurim po e presin liberalizimin e vizave, mirëpo akoma nuk po e gëzojnë të drejtën e lëvizjes së lirë drejt vendeve të Bashkimit Evropian.

Që nga viti 2016 kur Komisioni Evropian prezantoi çështjen e liberalizimit të vizave para Këshillit dhe Parlamentit Evropian, ku tregohet se Kosova i ka përmbushur kriteret për liberalizimin e vizave akoma nuk është marrë një vendim, madje edhe në vitin 2018 u prezantua raporti ku tregohej që Kosova ka përmbushur të gjitha standardet që janë kërkuar.

Frika nga migrimi si duket ka bërë që Kosova të mos e ketë akoma liberalizimin, por si pengesë kryesore mbetet çështja politike e vendeve anëtare të BE-së të cilat edhe nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

Një zyrtar i BE-së, në kushte anonime i ka thënë lajmi.net, se, rasti i Kosovës për liberalizimin e vizave ka mbetur në nivel teknik brenda Këshillit Evropian.

Sipas këtij zyrtari, ka diskutuar lidhur me këtë çështje për të arritur dakordancë për të filluar diskutimet me Parlamentin Evropian mirëpo akoma nuk është arritur një pajtueshmëri dhe mbështetje e mjaftueshme për shkak të shqetësimeve të paraqitura nga një numër shtetesh anëtare në lidhje me përmbushjen e standardeve të kërkuara.

“Diskutimet mbi çështjen e liberalizimit të vizave në rastin Kosovës kanë mbetur në nivel teknik përbrenda Këshillit. Nuk mund të ofrojë spekulime se kjo çështje mund të dërgohet në nivel ministror apo do merret ndonjë vendim për të. Propozimi për mundësimin e liberalizimit të vizave ndaj Kosovës u prezantua nga Komisioni Evropian tek Këshilli dhe Parlamenti Evropian në 2016-ën, propozim ky i ndjekur nga një raport i 2018-ës që tregonte se Kosova ka përmbushur të gjitha standardet e kërkuara. Në bazën e kësaj, Këshilli ka diskutuar lidhur me këtë çështje për të arritur dakordancë për të filluar diskutimet me Parlamentin Evropian. Sidoqoftë, nuk është arritur një mbështetje e mjaftueshme për shkak të shqetësimeve të paraqitura nga një numër shtetesh anëtare në lidhje me përmbushjen e standardeve të kërkuara”, ka sqaruar për lajmi.net, ky zyrtar i Bashkimit Evropian.

Në anën tjetër, Ciara Bottomley nga Komisioni Evropian, ka thënë për lajmi.net se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret e Udhërrëfyesit për Liberalizimin e Vizave dhe mbështetur në këtë, ajo ka inkurajuar të gjithë që të votojnë pro liberalizimit të vizave për Kosovën.

“Komisioni konfirmoi në korrik të 2018-ës se Kosova përmbushi të gjitha standardet e Udhërrëfyesit për Liberalizimin e Vizave. Vlerësimi ynë është ende i qëndrueshëm. Pas votimit në Parlamentin Evropian, tani u takon shteteve anëtare të Bashkimit Evropian ta çojnë këtë çështje përpara. Ne i inkurajojmë ata të vazhdojnë procedojnë me heqjen e vizave për Kosovën”, ka thënë Bottomley për lajmi.net.

Ditë më parë, raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon, i është përgjigjur një postimi në Twitter të bërë nga faqja “Kosdata”, ku thuhet se vetëm kosovarët nuk janë të lirë të lëvizin pa viza në Evropë.

Sipas Cramon, Kosova do ta kishte liberalizimin e vizave, nëse Parlamenti Evropian do ta thoshte fjalën e fundit, por siç theksoi ajo, është presidenti i Këshillit Evropian ai që e merr vendimin.

“Njerëz, unë jam e vetëdijshme për këtë fakt. Fatkeqësisht, nuk varet nga unë që të vendos për këtë. Më besoni, nëse ne në Parlamentin Evropian do ta kishim fjalën e fundit, Kosova do t’i kishte të njëjtat mundësi udhëtimi si të gjitha shtetet tjera evropiane, por është presidenti i Këshillit Evropian ai që e merr vendimin”, shkroi Cramon.

Në Kosovë që nga koha kur Gjermania e ka marrë presidencën e Këshillit Evropian shpresat ishin rritur që brenda mandatit gjashtëmujor të mund të merret vendimi përfundimtar mirëpo, akoma asgjë nuk është bërë në këtë drejtim.

Edhe pse ende nuk ka ndodhur liberalizimi i vizave gjatë kësaj kohe sa akoma Gjermania është në krye të Këshillit Evropian, Ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Heiko Maas, ditë më parë deklaroi për DW se shteti i tij është duke punuar në mënyrë intensive për hapjen e konferencave ndërqeveritare ashtu edhe për liberalizimin e vizave me Kosovën, por deri tani nuk dihet ende nëse këto do të realizohen brenda këtij viti.

“Ka akoma disa vende që kanë dyshime. Nuk mund të jap parashikime, se kur do të realizohet liberalizimi i vizave për Kosovën, por mund të them se është një temë me të cilën ne po merremi intensivisht”, ka deklaruar Maas.

Theksojmë se përveç pesë shteteve anëtare të Bashkimit Evropian që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, Qipro, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja, në procesin e liberalizimit të vizave kundërshtuesit më të madh janë Franca dhe Holanda e që deri vonë edhe Gjermania ishte ajo që e ngadalësonte këtë proces.

Qytetarët e Kosovës janë të vetmit në rajon të cilët nuk mund të lëvizin lirshëm drejt vendeve të Bashkimit Evropian. /Lajmi.net/

Lexo edhe: 

Pak shpresa për Kosovën, heqja e vizave u neglizhua edhe gjatë presidencës së Gjermanisë

Source: New feed

Leave a Reply